Monday 2 September 2013

Pilaf në mikrovalë

 

 Pilaf i bardhë i zier në mikrovalë

 
Ky pilaf është një prej atyre gjellave që shpesh e gjen vendin në tavolinën tonë, sepse zihet "vetë" dhe larg shporetit derisa unë pëgatis edhe mishin e perimet që t'i servoj bashkë në ato mbrëmjet e ngutshme mbas punës e shkollës... 

Ju nevojiten:

Jo-ushqimore - 1. Një filxhan i madh i kafes së bardhë të cilin do ta përdorni si masë për oriz dhe ujë;
2. Një enë e rrumbullakët e thellë, e xhamit apo ndonjë materiali të përshtatshëm për mikrovalë; 3. Lugë për përzierje; 4. Mikrovala me fuqi 900W (nëse e keni mikrovalën me fuqi më të dobët do të duhet ta rrisni kohën e zierjes)
 
Ushqimore - 1. 250 deri 300gr oriz i bardhë (një masë oriz e mbush filxhanin e kafes së bardhë); 2. Një lugë e mesme (e reçelit) krypë; 3. 40 deri 50gr puter (sipas shijes dhe sasisë së orizit); 4. Ujë i vluar
 

Përgatitja:

Në enën ku do ta zieni pilafin, e zbrazni një filxhan oriz dhe ia shtoni krypën dhe puterin. Ia shtoni pastaj tre filxhana ujë të nxehtë të posavluar dhe i përzieni së bashku. Enën me masën e lëngshme e vendosni në mikrovalë (900W) dhe e zieni 20 minuta (për 250gr oriz) apo 22 minuta (për 300gr oriz).
 
Pilafi i zier në këtë mënyrë është gjithmonë i zier plotësisht, nuk ngjitet dhe është i shkrihtë. Eventualisht mund të keni nevojë ta ndryshoni kohën e zierjes për ndonjë minutë dy-tri herët e para, varësisht nga lloji i orizit që përdorni. Për pilafin mësipër kam përdorur oriz të bardhë me kokërr të gjatë. Edhe pse pilafi tradicionalisht përgatitet me puter, nëse nuk preferoni të përdorni puterin në ushqimin tuaj, mund të provoni ta zieni me vaj (4 - 5 lugë të supës vaj luledielli apo ulliri si zëvendësim i puterit).

 

Shërben:

4 - 5 persona si gjellë anësore
 
 

No comments:

Post a Comment