Monday 2 September 2013

Oriz me perime

Oriz me qepë, hudër e bizele të fërguara

 
Orizi i zier në këtë mënyrë përshtatet me të gjitha llojet e mishit e edhe është i mirëseardhur kur mbetet një sasi pilafi e pangrënë, të cilin mund ta ruani në frigorifer. Nëse shtëpia e juaj është sadopak e ngjajshme me timen, shërbimi i gjellës së njëjtë, madje edhe pilafit të thjeshtë, të nesërmen apo edhe të pasnesërmen ka gjasa të shkaktojë "rebelim" në tavolinë. Orizi i kombinuar në këtë mënyrë ka shije plotësisht tjetër por mos pritni deri sa të ju mbetet pilafi që ta përgatitni - pilafin e bardhë në mikrovalë e zieni shpejt deri sa në anën tjetër i bëni gati perimet...

Çka ju nevojitet dhe sa nga ushqimet përbërëse:

200 deri 300gr oriz i zier (pesha e orizit të terur)
40-50gr puter (për zierjen e pilafit)
2 qepë të mëdha apo 3 të mesme
3-4 thelba hudër
1 kanaqe bizele (rreth 300gr)
1 1/2 lugë e mesme (e reçelit) (lmr) krypë
biber i zi sipas shijes (orientimisht 1/2 lmr)
2 lugë të supës (ls) magdanoz i terur
2-3 ls vaj ulliri (apo cilido vaj që e përdorni për ushqim)
magdanoz i freskët (opcional)

Enët/pajisjet:

1 enë e thellë e rrumbullakët për zierjen e orizit (për mikrovalë)
1 fërtere e thellë dhe relativisht e madhe (rreth 30cm diametër)
lugë për përzierje dhe servim
thikë
dërrasë për prerje

Përgatitja:

Hapi 1 - e zieni orizin si për pilaf me gjithë puterin dhe me 1lmr krypë (mund ta përcjellni receptin në bllogun 'Pilaf në mikrovalë')

Hapi 2 - i copëtoni qepët në copa goxha të mëdha, rreth 2cm dhe filloni t'i fërgoni në vaj duke i përzier herë pas here. Kur ato të jenë zbutur, ia shtoni hudrën e coptuar imët dhe i fërgoni edhe disa minuta duke u kujdesur që hudra të mos digjet sepse mund të jep shije të idhët.

Hapi 3 - e zbrazni lëngun nga kanaqeja e bizeleve dhe i shtoni bizelet në fërtere dhe pas një përzierje ia shtoni krypën, biberin dhe magdanozin e terur. I përzieni sërish dhe e ndalni temperaturë në minimum.

Hapi 4 - ia shtoni masës së mësipërme pilafin e bardhë dhe i përzieni ngadalë, në temperaturën më të ulët nëse përdorni plinin apo e ndalni rrymën fare.

Deri më tani aroma e gjellës ju është shpërndarë në tërë shtëpinë. E servoni të nxehtë e të dekoruar me fletë magdanozi nëse ju gjinden, me mish të pjekur e sallatë të freskët.


No comments:

Post a Comment