Saturday 21 September 2013

Frikadeller - qyfte Daneze

 
Këto qyfte servohen me salcë të përgatitur veçmas me qepë e mustardë (senf). Unë i servoj me pire patatesh - qyftet, salca e verdhë e mbyllët dhe pireja kombinohen bukur në shije por edhe duken këndshëm për sy. Masa më poshtë shërben 4 persona të rritur.
 
Për qyfte ju nevojiten: 1 qepë e prerë imët, 500gr mish i bluar i qurës, 60gr thërrime buke, 1 e kuqe e vesë, 1 lugë e mesme krypë, 1/2 lm biber i zi, vaj për t'i fërguar.

Për salcë: 60 gr puter (gjalpë), 1 qepë e prerë imët, 50gr miell, 600ml ujë i vakë i kombinuar me 1 katrorkë me shije perimesh, 3 lm mustardë (senf), 1/2 lm shafran i Indisë (nëse nuk e keni këtë erëz mund edhe ta mungoni).

Përgatitni këto enë: 1 enë e thellë për përgatitjen e masës së qyfteve, 1 fërtere (tigan) për fërgim, 1 tenxhere për salcë, 1 tenxhere për pire, 1 enë për servim.

Përgatitja:
Filloni me përgatitjen e salcës që të ketë kohë të trashet në temperature të ulët deri sa ju i fërgoni qyftet. Kësisoji mund t'i shtoni qyftet e posafërguara drejt në salcë.

Në tenxheren e salcës e vëni puterin dhe qepën dhe i fërgoni ngadalë deri sa qepa e grimcuar të zbutet. Ia shtoni miellin dhe pastaj gradualisht edhe ujin e vakët me shije deri sa të fitoni një masë homogjene. Ia shtoni atëherë edhe krypën, biberin dhe mustardën. I lëni të vazhdojnë të zihen ngadalë dhe i përzieni herë pas here.

Masën e qyfteve e përzieni mire, nëse keni kohë e leni rreth 20 minuta në frigorifer që të ftohet paksa e t'i formoni topthat e mishit më lehtë por unë rrallë kam kohë për këtë dhe i formoj menjiherë e filloj t'i fërgoj. Qyftet i fërgoni mirë deri sa të skuqen në të gjitha anët dhe të tilla i transferoni në salcë me lugë me vrima që t'i ikni mbledhjes së yndyrës së tepërt në salcë.

Deri sa ju e përgatitni pirenë, i leni qyftet të zihen në salcë në temperature të ulët. I përzieni herë pas here të mos ngjiten dhe kështu zierja e mishit të qyfteve vazhdon si dhe shijet e mishit e të salcës kombinohen me njëra tjetrën.

Shija e kësaj gjelle është e pasur andaj ka nevojë për ndonjë sallatë me perime të freskëta anash. Kur është moti i ftohtë kombinohet shumë mirë me turshi.


   
 
 
 


 

No comments:

Post a Comment