Sunday 8 September 2013

Pallaqinka (palëpete apo krepa)


Në shtëpinë tonë këto i quajmë pallaqinka dhe shpesh janë pallaqinkat ato të cilat të shtundeve apo të dielave në mëngjes i sjellin edhe gjumashët më të mëdhenj në kuzhinë me aromën joshëse teksa janë duke u pjekur. Shijet normalisht i kemi të ndryshme secili andaj servohen xhemat, mjalta, arrat e bluara, shurupi i panjës (angl. maple syrup), Nutella, sheqeri e limoni... Hahen edhe me djath të bardhë, me ajvar e plot kombinime tjera por ne i preferojmë të ëmbëla me lëngje pemësh apo tambël...
 

Ju nevojiten:

 
Jo ushqimore: Një enë plastike e thellë për ta përgatitur brumin, mikseri elektrik, peshorja, një menzurë për matjen e sasisë së lëngjeve, idealisht dy fërtere (tiganë) që nuk ngjiten apo bën vetëm një, një garuzhdë (luhare) dhe pjata ku do t'i servoni. Nëqoftëse jeni si unë e nuk e keni zotëruar artin e rrotullimit të pallaqinkave në ajër, ju duhet edhe një lopatëz kuzhine, plastike apo e drurit.
 
Ushqimore: 4 ve, 100ml vaj, 1l tambël me më pak se 2% yndyrë, 500gr miell i bardhë, 1 e 1/2 lugë e mesme (reçeli) me sheqer dhe 1/4 krypë.
 
Pas shumë e shumë variacioneve gjatë viteve, unë i përgatis kështu dhe brumi është gjithmonë i lëmuar e pa asnjë çikë mielli dhe pallaqinkat e pjekura janë të buta si shkumbë:
 
I vendosi të 4 vetë, krypën, sheqerin, miellin, 600ml tambël dhe 50ml vaj në enën plastike dhe i përziej me mikser në fuqinë më të ulët derisa të fitoj masën homogjene paksa të trashë. E lë këtë masë të pushojë nja 10 minuta dhe në ndërkohë pastroj tavolinën ku punoj dhe e servoj tavolinën e ushqimit. Pas kësaj kohë e përziej edhe një herë me mikser dhe pastaj e vazhdoj përzierjen me garuzhdë derisa ia shtoj ngadalë edhe 400ml tambël të mbetura. Brumi tani është gati.
 
Unë praktikoj t'i pjeki pallaqinkat në dy fërtere njëkohësisht për të kursyer kohën. 50ml të tjera të vajit i përdori për ta pikur secilën fërtere me vaj para pjekjes, zakonisht nuk e shpenzoj tërë vajin. Temperatura e pjekjes duhet të jetë relativisht e lartë.

E zbrazni brumin me garuzhdë në fërtere dhe në momentin kur fillojnë të krijohen fluska në pjesën e epërme, është koha për ta rrotulluar pallanqinkën.
 
Me masën mësipër dalin 12 pallaqinka të mëdha dhe 12 pak më të vogla (fërteret me diametër 21cm e 18cm).
 
 

 

No comments:

Post a Comment