Saturday 28 September 2013

Meny 8 - Kombinim perimesh të pjekura me ...

... sallatë të ngrohtë patatesh me limon e kobëz
 
... mish pule Maroken
 
... e domate-qershi të freskëta.
 
Perimet që i kam kombinuar këtu janë: qepë, speca, kungulleshka, patlixhan i zi dhe patate e ëmbël.
 
Komenti i Deës: "This is divine"...
 
 
 

Sunday 22 September 2013

Meny 7 - Speca të mbushur me ...



 
... qepë, karrota e domate të pjekura në furrë
 
... toptha buke me hudër e erëza
 
... selino dhe domate-qershi të freskëta
 

Saturday 21 September 2013

Frikadeller - qyfte Daneze

 
Këto qyfte servohen me salcë të përgatitur veçmas me qepë e mustardë (senf). Unë i servoj me pire patatesh - qyftet, salca e verdhë e mbyllët dhe pireja kombinohen bukur në shije por edhe duken këndshëm për sy. Masa më poshtë shërben 4 persona të rritur.
 
Për qyfte ju nevojiten: 1 qepë e prerë imët, 500gr mish i bluar i qurës, 60gr thërrime buke, 1 e kuqe e vesë, 1 lugë e mesme krypë, 1/2 lm biber i zi, vaj për t'i fërguar.

Për salcë: 60 gr puter (gjalpë), 1 qepë e prerë imët, 50gr miell, 600ml ujë i vakë i kombinuar me 1 katrorkë me shije perimesh, 3 lm mustardë (senf), 1/2 lm shafran i Indisë (nëse nuk e keni këtë erëz mund edhe ta mungoni).

Përgatitni këto enë: 1 enë e thellë për përgatitjen e masës së qyfteve, 1 fërtere (tigan) për fërgim, 1 tenxhere për salcë, 1 tenxhere për pire, 1 enë për servim.

Përgatitja:
Filloni me përgatitjen e salcës që të ketë kohë të trashet në temperature të ulët deri sa ju i fërgoni qyftet. Kësisoji mund t'i shtoni qyftet e posafërguara drejt në salcë.

Në tenxheren e salcës e vëni puterin dhe qepën dhe i fërgoni ngadalë deri sa qepa e grimcuar të zbutet. Ia shtoni miellin dhe pastaj gradualisht edhe ujin e vakët me shije deri sa të fitoni një masë homogjene. Ia shtoni atëherë edhe krypën, biberin dhe mustardën. I lëni të vazhdojnë të zihen ngadalë dhe i përzieni herë pas here.

Masën e qyfteve e përzieni mire, nëse keni kohë e leni rreth 20 minuta në frigorifer që të ftohet paksa e t'i formoni topthat e mishit më lehtë por unë rrallë kam kohë për këtë dhe i formoj menjiherë e filloj t'i fërgoj. Qyftet i fërgoni mirë deri sa të skuqen në të gjitha anët dhe të tilla i transferoni në salcë me lugë me vrima që t'i ikni mbledhjes së yndyrës së tepërt në salcë.

Deri sa ju e përgatitni pirenë, i leni qyftet të zihen në salcë në temperature të ulët. I përzieni herë pas here të mos ngjiten dhe kështu zierja e mishit të qyfteve vazhdon si dhe shijet e mishit e të salcës kombinohen me njëra tjetrën.

Shija e kësaj gjelle është e pasur andaj ka nevojë për ndonjë sallatë me perime të freskëta anash. Kur është moti i ftohtë kombinohet shumë mirë me turshi.


   
 
 
 


 

Meny 6 - Pasta rigatoni me ...

... dy lloje djathërash - krem djath dhe djath të bardhë sipas shijes - me rriska ullinjësh të zinj,

të servuara me...

... shnicëll pule të mbështjellur me thërrmia buke e me spec të djegstë

dhe me,

... purrinj të fërguar me sallamë/përshutë pule të kombinuara me krem djath e pak qumësht që të jenë më të lëngshme.

 

Monday 16 September 2013

Qyfte Qipriote në salcë domatesh

Këto qyfte përgatiten me verë të kuqe, hudër e erëzën qimnon andaj shija e tyre ndryshon plotësisht nga ajo e qyfteve tona tradicionale. Nëse nuk jeni skeptik/e për shijet e panjohura, ju preferoj t'i provoni. Unë zakonisht i servoj me pilaf të bardhë apo shpageta.

Prej enëve ju nevojiten: një enë e thellë plastike ku e përzieni mishin me përbërësit tjerë, një fërtere (tigan) ku i fërgoni qyftet, një tenxhere apo fërtere e thellë ku e përgatitni salcën dhe I shtoni edhe qyftet përfundimisht.

Përbërësit ushqimor:
Për qyfte ju nevojiten: 500 gr mish i bluar (i qingjit sipas reçetës origjinale por edhe i viçit bën), 2 copa bukë të thërrmuara, 3 thelba hudër të prera imët dhe të rrehura, 1 lugë e mesme (e reçelit) (lm) qinmon pluhur, 1 lm krypë, 1/2 lm biber i zi, 150-200ml verë e kuqe, vaj për fërgim (unë përdori vaj luledielli këtu).

Për salcë ju nevojiten: 2 qepë të prera imët, 2 kanaqe domate (rreth 500 gr të dyjat) apo një tegëll salcë domatesh (rreth 500gr), 1lm qimnon, 2 thelba hudër të grimcuara e të rrehura mirë, 1lm krypë, 1 lm vegetë apo çfarëdo mëlmese me shije perimesh të terura,1 - 2 lugë të supës (ls) vaj ulliri për fërgimin e qepëve, 200-250 ml verë të kuqe.

Unë i pëgatis në këtë renditje:

1. I prej qepët imët dhe i vë në enën ku do ta përgatis salcën bashkë me vajin e ullirit dhe filloj t'i fërgoj me krypë në temperature të ulët. Enën e mbylli me kapak dhe i përziej herë pas here - qëllimi është që të zbuten duke u fërguar por pa u djegur.

2. Për qyfte - i uli thërrmijat e bukës me verën e kuqe dhe kur ato të jenë lagur mirë ia shtoj të gjithë përbërësit tjerë. I përziej të gjitha mirë dhe i formoj qyftet në formë të topthave oval, rreth 4cm në gjatësi.

3. Qyftet i fërgoj në vaj deri sa të krijojnë shtresë ngjyrë kafe në të gjitha anët. I vendosi në një pjatë dhe kur kryhet fërgimi e largoj fërteren ku janë pjekur dhe i kthehem përgatitjes së salcës.

4. Qepëve që tani janë zbutur nga fërgimi, ju shtoj erëzat e i përziej mirë mbi zjarr e pastaj ia shtoj edhe të gjithë përbërësit e tjerë dhe vazhdoj ta ziej salcën deri sa të vlojë dhe të trashet paksa.

5. Salcës mësipër ia shtoj qyftet dhe i lë të zihen së bashku edhe nja 20 - 30 minuta deri sa unë e ziej pilafin dhe e përgatis tavolinën për të ngrënë.

Pas kësaj e hapi Bistro-në për familjen...Pijet i servojnë vetë...

Friday 13 September 2013

Meny 5 - Mish i bardhë pule i pjekur në...

fërtere-skarë, i marinuar një ditë më parë me vaj ulliri, lëng limoni, krypë, biber, gjethe dafine e kombinim erëzash (reçeta vijon së shpejti)

i servuar me...

... karrota e patate të pjekura në furrë (të marinuara në tepsinë ku edhe do të piqen me vaj e krypë sipas shijes/sasisë së perimeve)

... tranguj të vegjël turshi.

Shënim: Karrotat kanë nevojë të pjeken më gjatë se patatet andaj patatet i shtoni rreth 15 minuta pas karrotave. Patatet e mëdha I preni në copa të madhësisë së njejtë. I përzieni perimet përafësisht çdo 15 minuta që të mos ngjiten. Orientimisht - temperatura 240 gradë Celzius, rreth 45-50 minuta.

 

 
 
 

Monday 9 September 2013

Meny 4 - Pasta me ullinj, djath të bardhë dhe me ...

... pesto salcë...

të servuara me:

... mish të bardhë pule të mbështjellur në troha (thërrime) buke që më parë janë kombinuar me krypë, biber të zi, erëza dhe BBQ salcë dhe të pjekura në furrë

... qepë e speca dy ngjyrësh (2 qepë, 2 speca të kuq, 2 speca të verdhë) të fërguara bashkë në pak vaj

... rriska të freskëta trangujsh.

Sunday 8 September 2013

Pallaqinka (palëpete apo krepa)


Në shtëpinë tonë këto i quajmë pallaqinka dhe shpesh janë pallaqinkat ato të cilat të shtundeve apo të dielave në mëngjes i sjellin edhe gjumashët më të mëdhenj në kuzhinë me aromën joshëse teksa janë duke u pjekur. Shijet normalisht i kemi të ndryshme secili andaj servohen xhemat, mjalta, arrat e bluara, shurupi i panjës (angl. maple syrup), Nutella, sheqeri e limoni... Hahen edhe me djath të bardhë, me ajvar e plot kombinime tjera por ne i preferojmë të ëmbëla me lëngje pemësh apo tambël...
 

Ju nevojiten:

 
Jo ushqimore: Një enë plastike e thellë për ta përgatitur brumin, mikseri elektrik, peshorja, një menzurë për matjen e sasisë së lëngjeve, idealisht dy fërtere (tiganë) që nuk ngjiten apo bën vetëm një, një garuzhdë (luhare) dhe pjata ku do t'i servoni. Nëqoftëse jeni si unë e nuk e keni zotëruar artin e rrotullimit të pallaqinkave në ajër, ju duhet edhe një lopatëz kuzhine, plastike apo e drurit.
 
Ushqimore: 4 ve, 100ml vaj, 1l tambël me më pak se 2% yndyrë, 500gr miell i bardhë, 1 e 1/2 lugë e mesme (reçeli) me sheqer dhe 1/4 krypë.
 
Pas shumë e shumë variacioneve gjatë viteve, unë i përgatis kështu dhe brumi është gjithmonë i lëmuar e pa asnjë çikë mielli dhe pallaqinkat e pjekura janë të buta si shkumbë:
 
I vendosi të 4 vetë, krypën, sheqerin, miellin, 600ml tambël dhe 50ml vaj në enën plastike dhe i përziej me mikser në fuqinë më të ulët derisa të fitoj masën homogjene paksa të trashë. E lë këtë masë të pushojë nja 10 minuta dhe në ndërkohë pastroj tavolinën ku punoj dhe e servoj tavolinën e ushqimit. Pas kësaj kohë e përziej edhe një herë me mikser dhe pastaj e vazhdoj përzierjen me garuzhdë derisa ia shtoj ngadalë edhe 400ml tambël të mbetura. Brumi tani është gati.
 
Unë praktikoj t'i pjeki pallaqinkat në dy fërtere njëkohësisht për të kursyer kohën. 50ml të tjera të vajit i përdori për ta pikur secilën fërtere me vaj para pjekjes, zakonisht nuk e shpenzoj tërë vajin. Temperatura e pjekjes duhet të jetë relativisht e lartë.

E zbrazni brumin me garuzhdë në fërtere dhe në momentin kur fillojnë të krijohen fluska në pjesën e epërme, është koha për ta rrotulluar pallanqinkën.
 
Me masën mësipër dalin 12 pallaqinka të mëdha dhe 12 pak më të vogla (fërteret me diametër 21cm e 18cm).
 
 

 

Friday 6 September 2013

Meny 3 - Shpageta me...



... qyfte Qipriote në salcë domatesh me perime, erëza e verë të kuqe

Shpagetat janë të përgatitura me vaj ulliri, hudër e magdanoz.

Meny 2 - Mish peshku me ...

 

...  rriska patatesh të pjekura

... brokoli e karrota të ziera

... sallatë e freskët me domate, tranguj e speca në salcë nga vaji i ullirit e uthulla balsamike (apo çfarëdo kombinimi i vajit e uthullës sipas preferencës tuaj) - me krypë sipas shijes 
 

Sallatë e lehtë me domate e djath mozzarella

Mozzarella (Djath i bardhë me origjinë nga Italia jugore, shqip - lexo mocarrella)

Përbërësit: Disa domate të kuqe, 'Pesto' pastë, Djath i freskët mozarrella, krypë, biber i zi, borzilok i terur, vaj ulliri (opcional)
I preni 2 - 3 domate në disqe rreth 1/2 cm trashësi dhe i kryposni sipas shijes.
E preni edhe mozzarella-n e freskët në disqe të ngajshme dhe të gjitha i renditni në pjatën e servimit si më poshtë:
1. E shpërndani pak borzilok në pjatën e zbrazët
2. E lyeni secilin disk të domateve me pesto dhe e vëni mbi një rriskë mozzarella si në foto
3. I renditni në pjatë dhe e përfundoni duke shpërndarë borzilok përmbi e po qe se keni dëshirë edhe pak vaj ulliri meqenëse 'Pesto' përmban një sasi në vehte.
Pesto-n e gjeni në teglla të vogla në shumicën e marketeve të furnizuara mirë - zakonisht në raftet pranë pastave të terura dhe salceve tjera për pasta. Pesto mund të jetë i gjelbërt (përmban borzilok, vaj ulliri, disa lloje farash të ndrydhura dhe një sasi djathi) apo i kuq (e ka përmbajtjen e njëjtë si pesto i gjelbërt me shtesë të domateve të terura që i japin ngjyrën) - zgjedhja sipas shijes.

Shënim: sasia e domateve më lartë është vetëm udhëzuese - sasinë e sallatës e ndryshoni vetë sipas numrit të personave në tavolinë. Të tjerët përbërës gjithashtu i bleni në varësi nga sasia që do të përgatitni.

Wednesday 4 September 2013

Meny 1 - Shnicëll pule me ...

 
..... Pilaf të bardhë

... Rriska specash të verdhë, të kuq e të gjelbër

... Karrota të rriskuara

... Lakër e grirë

 
Në këtë rast, të gjitha perimet janë të fërguara në pak vaj dhe në fërtere të veçanta (dmth. gjithë specat në një vend, karrotat në tjetër fërtere e lakrat në tjetër).
 
Perimet i fërgoni më gjatë nëse i pëlqeni të buta apo i leni më 'kërc'* nëse kjo është preference juaj.
 
* Disa prej vitaminave dhe lëndëve tjera ushqyese të perimeve humben apo zvogëlohen gjatë zierjes në nxehtësi - vetitë ushqyese ruhen më së miri kur perimet janë të freskëta apo të ziera pak.   
 
 

Monday 2 September 2013

Oriz me perime

Oriz me qepë, hudër e bizele të fërguara

 
Orizi i zier në këtë mënyrë përshtatet me të gjitha llojet e mishit e edhe është i mirëseardhur kur mbetet një sasi pilafi e pangrënë, të cilin mund ta ruani në frigorifer. Nëse shtëpia e juaj është sadopak e ngjajshme me timen, shërbimi i gjellës së njëjtë, madje edhe pilafit të thjeshtë, të nesërmen apo edhe të pasnesërmen ka gjasa të shkaktojë "rebelim" në tavolinë. Orizi i kombinuar në këtë mënyrë ka shije plotësisht tjetër por mos pritni deri sa të ju mbetet pilafi që ta përgatitni - pilafin e bardhë në mikrovalë e zieni shpejt deri sa në anën tjetër i bëni gati perimet...

Çka ju nevojitet dhe sa nga ushqimet përbërëse:

200 deri 300gr oriz i zier (pesha e orizit të terur)
40-50gr puter (për zierjen e pilafit)
2 qepë të mëdha apo 3 të mesme
3-4 thelba hudër
1 kanaqe bizele (rreth 300gr)
1 1/2 lugë e mesme (e reçelit) (lmr) krypë
biber i zi sipas shijes (orientimisht 1/2 lmr)
2 lugë të supës (ls) magdanoz i terur
2-3 ls vaj ulliri (apo cilido vaj që e përdorni për ushqim)
magdanoz i freskët (opcional)

Enët/pajisjet:

1 enë e thellë e rrumbullakët për zierjen e orizit (për mikrovalë)
1 fërtere e thellë dhe relativisht e madhe (rreth 30cm diametër)
lugë për përzierje dhe servim
thikë
dërrasë për prerje

Përgatitja:

Hapi 1 - e zieni orizin si për pilaf me gjithë puterin dhe me 1lmr krypë (mund ta përcjellni receptin në bllogun 'Pilaf në mikrovalë')

Hapi 2 - i copëtoni qepët në copa goxha të mëdha, rreth 2cm dhe filloni t'i fërgoni në vaj duke i përzier herë pas here. Kur ato të jenë zbutur, ia shtoni hudrën e coptuar imët dhe i fërgoni edhe disa minuta duke u kujdesur që hudra të mos digjet sepse mund të jep shije të idhët.

Hapi 3 - e zbrazni lëngun nga kanaqeja e bizeleve dhe i shtoni bizelet në fërtere dhe pas një përzierje ia shtoni krypën, biberin dhe magdanozin e terur. I përzieni sërish dhe e ndalni temperaturë në minimum.

Hapi 4 - ia shtoni masës së mësipërme pilafin e bardhë dhe i përzieni ngadalë, në temperaturën më të ulët nëse përdorni plinin apo e ndalni rrymën fare.

Deri më tani aroma e gjellës ju është shpërndarë në tërë shtëpinë. E servoni të nxehtë e të dekoruar me fletë magdanozi nëse ju gjinden, me mish të pjekur e sallatë të freskët.


Pilaf në mikrovalë

 

 Pilaf i bardhë i zier në mikrovalë

 
Ky pilaf është një prej atyre gjellave që shpesh e gjen vendin në tavolinën tonë, sepse zihet "vetë" dhe larg shporetit derisa unë pëgatis edhe mishin e perimet që t'i servoj bashkë në ato mbrëmjet e ngutshme mbas punës e shkollës... 

Ju nevojiten:

Jo-ushqimore - 1. Një filxhan i madh i kafes së bardhë të cilin do ta përdorni si masë për oriz dhe ujë;
2. Një enë e rrumbullakët e thellë, e xhamit apo ndonjë materiali të përshtatshëm për mikrovalë; 3. Lugë për përzierje; 4. Mikrovala me fuqi 900W (nëse e keni mikrovalën me fuqi më të dobët do të duhet ta rrisni kohën e zierjes)
 
Ushqimore - 1. 250 deri 300gr oriz i bardhë (një masë oriz e mbush filxhanin e kafes së bardhë); 2. Një lugë e mesme (e reçelit) krypë; 3. 40 deri 50gr puter (sipas shijes dhe sasisë së orizit); 4. Ujë i vluar
 

Përgatitja:

Në enën ku do ta zieni pilafin, e zbrazni një filxhan oriz dhe ia shtoni krypën dhe puterin. Ia shtoni pastaj tre filxhana ujë të nxehtë të posavluar dhe i përzieni së bashku. Enën me masën e lëngshme e vendosni në mikrovalë (900W) dhe e zieni 20 minuta (për 250gr oriz) apo 22 minuta (për 300gr oriz).
 
Pilafi i zier në këtë mënyrë është gjithmonë i zier plotësisht, nuk ngjitet dhe është i shkrihtë. Eventualisht mund të keni nevojë ta ndryshoni kohën e zierjes për ndonjë minutë dy-tri herët e para, varësisht nga lloji i orizit që përdorni. Për pilafin mësipër kam përdorur oriz të bardhë me kokërr të gjatë. Edhe pse pilafi tradicionalisht përgatitet me puter, nëse nuk preferoni të përdorni puterin në ushqimin tuaj, mund të provoni ta zieni me vaj (4 - 5 lugë të supës vaj luledielli apo ulliri si zëvendësim i puterit).

 

Shërben:

4 - 5 persona si gjellë anësore