Sunday 11 October 2015

Perime të pjekura në furrë


Sot është e dielë dhe menynë e darkës e ka zgjedhur Dea. Tash sa i futa perimet në furrë e do t'i servoj me mish dhe patate të pjekura, ato po skuqen ngadale në furrën tjetër...

Perimet e këtilla i përgatis si gjellë anësore në pjatë e kombinimet ndonjëherë varen prej shijes e herave tjerave prej perimeve që qëllojnë në shtëpi. Furrën e lëshoj të nxehet në temperaturë të lartë, 250-270 gradë Celzius para se të filloj rriskimin e perimeve.

Sonte i kam përgatitur të mëposhtmet:

  • 1 kungull i vogël - i qëruar, pastruar nga farat dhe i prerë në katrorka diku 3cm x 3cm 
  • 2 kungulleshka - prerë në disqe rreth 1cm trashësi
  • 2 speca të gjelbërt e 1 spec i kuq - prerë ne rriska përafërsisht 3cm me 3cm
  • 2 qepë të kuqe - të prera sikur specat


I kam shtuar 3 lugë të supës vaj ulliri dhe 1 lugë të mesme (të reçelit) krypë.

Këto i kam përzier mirë dhe i kam futur në furrë, do t'i përziej sërish pas nja 30 minutash, pastaj 15 minuta më vonë dhe do të jenë të gatshme për nji orë plus/minus 10 minuta varësisht prej furrës e perimeve si dhe sa keni dëshirë t'i leni të rreshken.

Puna më e madhe është te pastrimi dhe prerja e perimeve, pas kësaj ato vetëm duhet kontrolluar e përzier herë pas here.

Secila perime zbutet a rreshket dhe i jep shije tjerave, rezultati si më poshtë...









Monday 7 October 2013

Bukë me djath e ve - rreshkur në furrë


Buka e shtëpisë, djathërat e ndryshëm, ndonjë mish si përshuta apo suxhuku, kombinuar me ve janë shpesh në meny në shtëpinë tonë gjatë vikendeve, qoftë për mengjesat e vonshëm apo për drekë në mesditë. Një ndryshim i madh ky nga kornfleksat apo drithërat tjera me tambël, gjatë ditëve të punës e shkollës...

Për opcionin vegjetarian - e përcjelleni reçetën si më poshtë dhe ia mungoni rriskat e mishit...

Sipas mundësive, buka të jetë e shtëpisë apo nga ndonjë furrë buke që e keni në afërsi. Ju duhen edhe: ve, djath i bardhë i shprishur, mish i rriskuar (opcional), puter (gjalpë), krypë, biber i bardhë (bën edhe i zi apo pa biber fare). 

E nxeni furrën në 220 gradë Celzius dhe e rriskoni bukën. E lyeni secilën rriskë me puter dhe, nëse keni dëshirë, vendosni edhe copa përshute, suxhuku a parizeri të rriskuar mbi rriskat e bukës.

I renditni në tepsi dhe i futni në furrën e nxehtë rreth 10 minuta. Ndërkohë i tundni disa ve dhe ia shtoni djathin e bardhë të cilin e keni shprishur më parë - i shtoni masës krypë e biber të bardhë sipas shijes. Sa për orientim, pë çdo 2 ve ju nevojitet rreth 250 gr djath i bardhë.

I nxjerrni rriskat nga furra dhe i shtoni nga dy-tri lugë të supës së masës me ve e djath mbi secilën rriskë. I ktheni në furrë përafërsisht edhe 20 minuta apo deri sa të rreshken si në foto.


    
 

 

Wednesday 2 October 2013

'Şiş kebap' si në Turqi




Këtu kam përdorur mish të bardhë pule por ju e zgjedhni mishin sipas shijes. Përveç mishit ju nevojiten: speca, qepë e këpurdha si dhe krypë, biber i zi, biber i kuq, vegetë, salcë domatesh, lëng limoni dhe vaj. E bëni gati edhe një enë të thellë ku do t'i vendosni mishin dhe të gjitha perimet e prera (mundësisht ena me kapak apo mund të përdorni 'cling film') si dhe shkopinjtë për skarë.

Fshehtësia e mishit të butë dhe shijoz qëndron në marinim - unë zakonisht e pastroj dhe e prej mishin në formë kubesh përafërsisht 2x2cm një natë përpara apo më së largu në mëngjes për pjekje në darkë. I vë në marinadën e përgatitur duke i pëzier vajin, lëngun e limonit, salcën e domateve (pak) krypën dhe mëlmesat e tjera dhe i lë të qëndrojnë gjatë natës në frigorifer dhe për këtë arsye përdori enën me kapak. Ndonjëherë edhe i blej të gatshme mëlmesat e kombinuara për mish në skarë.      

Sa për orientim: 1kg mish, 1/2 kg speca, 1/2kg qepë, 400-500 gram këpurdha kombinohen me 200ml vaj, 150 ml lëng limoni, 1lugë të mesme (lm) krypë, 1 lm vegetë, 1 lm biber të kuq, 1/2 lm biber të zi dhe 2 lugë të supës salcë domatesh.

Perimet i prej dhe ia shtoj mishit para pjekjes, i përziej të gjitha dhe i rendis në shkopinj si në foto. I pjeki në skarë jashtë apo nën grill në furrë duke i rrotulluar dhe lyer me marinadën e mbetur herë pas here.

Shumë të shijshme...

Saturday 28 September 2013

Meny 8 - Kombinim perimesh të pjekura me ...

... sallatë të ngrohtë patatesh me limon e kobëz
 
... mish pule Maroken
 
... e domate-qershi të freskëta.
 
Perimet që i kam kombinuar këtu janë: qepë, speca, kungulleshka, patlixhan i zi dhe patate e ëmbël.
 
Komenti i Deës: "This is divine"...
 
 
 

Sunday 22 September 2013

Meny 7 - Speca të mbushur me ...



 
... qepë, karrota e domate të pjekura në furrë
 
... toptha buke me hudër e erëza
 
... selino dhe domate-qershi të freskëta
 

Saturday 21 September 2013

Frikadeller - qyfte Daneze

 
Këto qyfte servohen me salcë të përgatitur veçmas me qepë e mustardë (senf). Unë i servoj me pire patatesh - qyftet, salca e verdhë e mbyllët dhe pireja kombinohen bukur në shije por edhe duken këndshëm për sy. Masa më poshtë shërben 4 persona të rritur.
 
Për qyfte ju nevojiten: 1 qepë e prerë imët, 500gr mish i bluar i qurës, 60gr thërrime buke, 1 e kuqe e vesë, 1 lugë e mesme krypë, 1/2 lm biber i zi, vaj për t'i fërguar.

Për salcë: 60 gr puter (gjalpë), 1 qepë e prerë imët, 50gr miell, 600ml ujë i vakë i kombinuar me 1 katrorkë me shije perimesh, 3 lm mustardë (senf), 1/2 lm shafran i Indisë (nëse nuk e keni këtë erëz mund edhe ta mungoni).

Përgatitni këto enë: 1 enë e thellë për përgatitjen e masës së qyfteve, 1 fërtere (tigan) për fërgim, 1 tenxhere për salcë, 1 tenxhere për pire, 1 enë për servim.

Përgatitja:
Filloni me përgatitjen e salcës që të ketë kohë të trashet në temperature të ulët deri sa ju i fërgoni qyftet. Kësisoji mund t'i shtoni qyftet e posafërguara drejt në salcë.

Në tenxheren e salcës e vëni puterin dhe qepën dhe i fërgoni ngadalë deri sa qepa e grimcuar të zbutet. Ia shtoni miellin dhe pastaj gradualisht edhe ujin e vakët me shije deri sa të fitoni një masë homogjene. Ia shtoni atëherë edhe krypën, biberin dhe mustardën. I lëni të vazhdojnë të zihen ngadalë dhe i përzieni herë pas here.

Masën e qyfteve e përzieni mire, nëse keni kohë e leni rreth 20 minuta në frigorifer që të ftohet paksa e t'i formoni topthat e mishit më lehtë por unë rrallë kam kohë për këtë dhe i formoj menjiherë e filloj t'i fërgoj. Qyftet i fërgoni mirë deri sa të skuqen në të gjitha anët dhe të tilla i transferoni në salcë me lugë me vrima që t'i ikni mbledhjes së yndyrës së tepërt në salcë.

Deri sa ju e përgatitni pirenë, i leni qyftet të zihen në salcë në temperature të ulët. I përzieni herë pas here të mos ngjiten dhe kështu zierja e mishit të qyfteve vazhdon si dhe shijet e mishit e të salcës kombinohen me njëra tjetrën.

Shija e kësaj gjelle është e pasur andaj ka nevojë për ndonjë sallatë me perime të freskëta anash. Kur është moti i ftohtë kombinohet shumë mirë me turshi.


   
 
 
 


 

Meny 6 - Pasta rigatoni me ...

... dy lloje djathërash - krem djath dhe djath të bardhë sipas shijes - me rriska ullinjësh të zinj,

të servuara me...

... shnicëll pule të mbështjellur me thërrmia buke e me spec të djegstë

dhe me,

... purrinj të fërguar me sallamë/përshutë pule të kombinuara me krem djath e pak qumësht që të jenë më të lëngshme.