Monday 7 October 2013

Bukë me djath e ve - rreshkur në furrë


Buka e shtëpisë, djathërat e ndryshëm, ndonjë mish si përshuta apo suxhuku, kombinuar me ve janë shpesh në meny në shtëpinë tonë gjatë vikendeve, qoftë për mengjesat e vonshëm apo për drekë në mesditë. Një ndryshim i madh ky nga kornfleksat apo drithërat tjera me tambël, gjatë ditëve të punës e shkollës...

Për opcionin vegjetarian - e përcjelleni reçetën si më poshtë dhe ia mungoni rriskat e mishit...

Sipas mundësive, buka të jetë e shtëpisë apo nga ndonjë furrë buke që e keni në afërsi. Ju duhen edhe: ve, djath i bardhë i shprishur, mish i rriskuar (opcional), puter (gjalpë), krypë, biber i bardhë (bën edhe i zi apo pa biber fare). 

E nxeni furrën në 220 gradë Celzius dhe e rriskoni bukën. E lyeni secilën rriskë me puter dhe, nëse keni dëshirë, vendosni edhe copa përshute, suxhuku a parizeri të rriskuar mbi rriskat e bukës.

I renditni në tepsi dhe i futni në furrën e nxehtë rreth 10 minuta. Ndërkohë i tundni disa ve dhe ia shtoni djathin e bardhë të cilin e keni shprishur më parë - i shtoni masës krypë e biber të bardhë sipas shijes. Sa për orientim, pë çdo 2 ve ju nevojitet rreth 250 gr djath i bardhë.

I nxjerrni rriskat nga furra dhe i shtoni nga dy-tri lugë të supës së masës me ve e djath mbi secilën rriskë. I ktheni në furrë përafërsisht edhe 20 minuta apo deri sa të rreshken si në foto.


    
 

 

No comments:

Post a Comment