Monday 7 October 2013

Bukë me djath e ve - rreshkur në furrë


Buka e shtëpisë, djathërat e ndryshëm, ndonjë mish si përshuta apo suxhuku, kombinuar me ve janë shpesh në meny në shtëpinë tonë gjatë vikendeve, qoftë për mengjesat e vonshëm apo për drekë në mesditë. Një ndryshim i madh ky nga kornfleksat apo drithërat tjera me tambël, gjatë ditëve të punës e shkollës...

Për opcionin vegjetarian - e përcjelleni reçetën si më poshtë dhe ia mungoni rriskat e mishit...

Sipas mundësive, buka të jetë e shtëpisë apo nga ndonjë furrë buke që e keni në afërsi. Ju duhen edhe: ve, djath i bardhë i shprishur, mish i rriskuar (opcional), puter (gjalpë), krypë, biber i bardhë (bën edhe i zi apo pa biber fare). 

E nxeni furrën në 220 gradë Celzius dhe e rriskoni bukën. E lyeni secilën rriskë me puter dhe, nëse keni dëshirë, vendosni edhe copa përshute, suxhuku a parizeri të rriskuar mbi rriskat e bukës.

I renditni në tepsi dhe i futni në furrën e nxehtë rreth 10 minuta. Ndërkohë i tundni disa ve dhe ia shtoni djathin e bardhë të cilin e keni shprishur më parë - i shtoni masës krypë e biber të bardhë sipas shijes. Sa për orientim, pë çdo 2 ve ju nevojitet rreth 250 gr djath i bardhë.

I nxjerrni rriskat nga furra dhe i shtoni nga dy-tri lugë të supës së masës me ve e djath mbi secilën rriskë. I ktheni në furrë përafërsisht edhe 20 minuta apo deri sa të rreshken si në foto.


    
 

 

Wednesday 2 October 2013

'Şiş kebap' si në Turqi




Këtu kam përdorur mish të bardhë pule por ju e zgjedhni mishin sipas shijes. Përveç mishit ju nevojiten: speca, qepë e këpurdha si dhe krypë, biber i zi, biber i kuq, vegetë, salcë domatesh, lëng limoni dhe vaj. E bëni gati edhe një enë të thellë ku do t'i vendosni mishin dhe të gjitha perimet e prera (mundësisht ena me kapak apo mund të përdorni 'cling film') si dhe shkopinjtë për skarë.

Fshehtësia e mishit të butë dhe shijoz qëndron në marinim - unë zakonisht e pastroj dhe e prej mishin në formë kubesh përafërsisht 2x2cm një natë përpara apo më së largu në mëngjes për pjekje në darkë. I vë në marinadën e përgatitur duke i pëzier vajin, lëngun e limonit, salcën e domateve (pak) krypën dhe mëlmesat e tjera dhe i lë të qëndrojnë gjatë natës në frigorifer dhe për këtë arsye përdori enën me kapak. Ndonjëherë edhe i blej të gatshme mëlmesat e kombinuara për mish në skarë.      

Sa për orientim: 1kg mish, 1/2 kg speca, 1/2kg qepë, 400-500 gram këpurdha kombinohen me 200ml vaj, 150 ml lëng limoni, 1lugë të mesme (lm) krypë, 1 lm vegetë, 1 lm biber të kuq, 1/2 lm biber të zi dhe 2 lugë të supës salcë domatesh.

Perimet i prej dhe ia shtoj mishit para pjekjes, i përziej të gjitha dhe i rendis në shkopinj si në foto. I pjeki në skarë jashtë apo nën grill në furrë duke i rrotulluar dhe lyer me marinadën e mbetur herë pas here.

Shumë të shijshme...