Sot është e dielë dhe menynë e darkës e ka zgjedhur Dea. Tash sa i futa perimet në furrë e do t'i servoj me mish dhe patate të pjekura, ato po skuqen ngadale në furrën tjetër...
Perimet e këtilla i përgatis si gjellë anësore në pjatë e kombinimet ndonjëherë varen prej shijes e herave tjerave prej perimeve që qëllojnë në shtëpi. Furrën e lëshoj të nxehet në temperaturë të lartë, 250-270 gradë Celzius para se të filloj rriskimin e perimeve.
Sonte i kam përgatitur të mëposhtmet:
- 1 kungull i vogël - i qëruar, pastruar nga farat dhe i prerë në katrorka diku 3cm x 3cm
- 2 kungulleshka - prerë në disqe rreth 1cm trashësi
- 2 speca të gjelbërt e 1 spec i kuq - prerë ne rriska përafërsisht 3cm me 3cm
- 2 qepë të kuqe - të prera sikur specat
I kam shtuar 3 lugë të supës vaj ulliri dhe 1 lugë të mesme (të reçelit) krypë.
Këto i kam përzier mirë dhe i kam futur në furrë, do t'i përziej sërish pas nja 30 minutash, pastaj 15 minuta më vonë dhe do të jenë të gatshme për nji orë plus/minus 10 minuta varësisht prej furrës e perimeve si dhe sa keni dëshirë t'i leni të rreshken.
Puna më e madhe është te pastrimi dhe prerja e perimeve, pas kësaj ato vetëm duhet kontrolluar e përzier herë pas here.